Në Komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-së, të shtunën është diskutuar edhe rreth situatës së përgjithshme në Kosovë, e në veçanti lidhur me sulmin terrorist të grupeve paramilitare të udhëhequra nga Milan Radoiçiq.
Në raportin e gjerë të paraqitur nga ish-sekretari britanik i mbrojtjes, Lordi Mark Lancaster, i cili është raportues për Ballkanin Perëndimor është përfshirë edhe raportimi i organizatës joqeveritare “International Crisis Group”, në të cilën theksohet se KFOR-i e negiciojë tërheqjen e grupit paramilitarë serbë.
Në dokumentin ku tregohet ne detaje historia e Kosovës, e problemet me Serbinë, vëmendje e madhe i është dhënë krejt veriut të Kosovës.
Raporti flet edhe për kryekriminelin Milan Radoiçiq. “Prishtina publikoi pamjet me dron, të cilat dukej se tregonin Milan Radoiçiqin, një figurë e shquar në skenën serbe të Kosovës, duke udhëhequr grupin Banjska. Radoiçiq ishte nënkryetar i partisë politike Listë Serbe. Një biznesmen i pasur me interesa në Serbi dhe rajon, ai shihet gjerësisht si “sundimtari joformal i Kosovës veriore”, sipas fjalëve të një gazete opozitare të Beogradit”, thuhet në raport.