Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se ekonomia e Kosovës po ngadalësohet, ndërsa çmimet dhe inflacioni po vazhdojnë të rriten, duke bërë thirrje për më shumë kujdes në menaxhimin e parasë publike.
Sipas raportit të fundit, rritja ekonomike ka rënë në 3.6 për qind në vitin 2025, nga 4.6 për qind një vit më parë. Për vitin 2026 pritet të bjerë edhe më tej, në rreth 3.3 për qind.
FMN thekson se një nga problemet kryesore është fakti që Kosova po shpenzon më shumë para jashtë sesa po fiton nga jashtë. Kjo diferencë është rritur në 9.2 për qind të GDP-së dhe pritet të tejkalojë 10 për qind në vitin 2026. Sipas raportit, kjo ndodh sepse vendi importon shumë mallra, sidomos energji dhe ushqime, ndërsa eksporton më pak.
Sa i përket sektorit financiar, FMN vlerëson se ai mbetet i qëndrueshëm, por kërkon forcim të mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe menaxhimit të rreziqeve.
Raporti thekson edhe nevojën për reforma që ndihmojnë ekonominë të rritet më shpejt, të hapen vende pune dhe të përfshihen më shumë gra në tregun e punës.