Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji.
Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.“Procesi i normalizimit [të marrëdhënieve] vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, thuhet në këtë draft-dokument.
Aty kërkohet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë kryesit e këtyre sulmeve.
Komisioni Evropian kërkon që palët në dialog ta respektojnë Marrëveshjen për vizitat zyrtare, t’i mundësojnë vizitat e kryenegociatorëve në territorin e vendeve të njëra-tjetrës, si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale.
Komisioni Evropian edhe me këtë dokument vjetor i bën thirrje Kosovës që ta nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Aty kërkohet që si bazë për këtë të jetë draft-statuti i propozuar nga disa vende evropiane, i cili u është dorëzuar palëve në tetor të vitit 2023.
Ndërkaq, për propozimin që është dorëzuar nga ana e ekipit menaxhues, i përbërë nga serbët e Kosovës, thuhet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut, ndaj kërkohet që si bazë të merret pikërisht ai që quhet “propozimi evropian”.
Në draft-raportin për Serbinë thuhet se obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve janë pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35.
Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.