Raportet Kurti-Rama, theksohet nevoja për thellim të bashkëpunimit
Lajme
Lexohet për: 3 min.
baraliu-201224
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama, i bëri bashkë seanca e dy kuvendeve e mbajtur të premten në Prishtinë - në kohën kur raportet e tyre konsiderohen “të ftohta”. Njohësi i zhvillimeve politike, Mazllum Baraliu thekson nevojën e thellimit të bashkëpunimit në mes të dy liderëve.

Ai e sheh si veprim pozitiv mbajtjen e seancës së sotme dhe sipas tij, liderët e të dy vendeve duhet të kuptojnë rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve zyrtare.

"Kjo është shenjë e mirë që janë takuar, dhe do duhej që domosdoshmërisht të kuptojnë liderët të dy vendeve se marrëdhëniet mes nesh duhet të jenë më të ngrohta, ato zyrtare, sepse nuk janë aq të ngrohta. Popujt gjithsesi janë të palëkundur andej dhe këndej kufirit, patjetër do duhej bashkëpunim me shumë dhe jo inate”, thotë Baraliu.

Ai thotë se marrëdhëniet Kurti-Rama nuk janë në pikën zero por sipas tij është një hapësirë e cila “do më tepër koordinim dhe mirëkuptim”.

“Do duhej të vetëdijesoheshin të dy se me atë epërsinë baraktareste, individualiste të tepruar të protagonizimit të pretenduar as njëri as tjetri nuk mund të fitojë, por me bashkim, bashkëpunim dhe me koordinim, patjetër, sepse është i domosdoshëm...Megjithatë, nuk është pika zero e marrëdhënieve, por është një hapësirë e cila do shumë më tepër koordinim dhe mirëkuptim në kuptimin e afrimit, integrimit mes dy vendeve”, shton Baraliu.

Në seancën e mbajtur sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë miratuan deklaratën e përbashkët përmes të cilët synohet ecja përpara.

Një tjetër mbledhje e dy kuvendeve ishte mbajtur në nëntor të vitit 2022.

Mbledhja e dy kuvendeve, sipas institucioneve në të dy anët e kufirit, vjen si nevojë e koordinimit të agjendës për realizimin e synimeve që përfshijnë anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës. Gjithashtu, mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Të dy qeveritë tashmë kanë të nënshkruara dhjetëra marrëveshje por takimet ndërqeveritare nuk janë duke u mbajtur.

I fundit që kishte dështuar të mbahet ishte në qershor të vitit 2023, pas mospajtimeve në mes të Kurtit dhe Ramës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025