Ramadani: Tani të mendojmë për sfidën me Francën
Sport
Lexohet për: 2 min.
Kosova-futsall
2 orë më parë
Linku u kopjua

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar fitore të merituar në ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Euro 2026 në fazën ‘Main Round’. Pas disfatës si mysafirë në duel me Gjeorgjinë (3:1), Dardanët e futsallit shkëlqyen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, duke mposhtur Bullgarinë me rezultat të thellë 6:2.

Serinë e golave për Kosovën e nisi Ramadan Alaj, në minutën e 3-të, për ta vazhduar Ylli Mazreku (7’), Shefki Kameri (11’), Drilon Maxharaj (24’), Malush Qerimi (35’) dhe Fitim Krasniqi (38’), teksa të dy golat për bullgarët i realizoi Martin Stoykov, në minutat 13’ dhe 32’. Me këtë fitore, Dardanët konfirmuan formën e mirë dhe synimin për të vazhduar drejt objektivit madhor të kualifikimit në Euro 2026.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës Agon Ramadani, tha se lojtarët treguan angazhim të madh në fushë, por se tani duhet qëndruar më këmbë në tokë, përcjellë KosovaPress.

“Ne jemi përgatitur që ta bëjmë maksimumin në këtë ndeshje sepse nuk donim të lejonim befasi. Jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Angazhimi i tillë nuk ka munguar as në Gjeorgji, por atje nuk shkoi gjithçka qysh e kishim parashikuar. Normalisht se gëzimi i fitores para tifozëve tanë është shumë i madh. Lojtarët patën dëshirë të flaktë për fitore dhe e realizuan atë. Ne treguam se më nuk jemi autsajder. Dihet se në grup e kemi Francën që ishte në vend të tretë dhe Gjeorgjinë që ka qenë në çerekfinale në Evropianin e kaluar, por ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ndjekur objektivin për dy vendet e para në grup. Natyrisht se nuk është e lehtë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të luftojmë deri në fund. Na pret një pushim prej një muaji dhe duhet ta mbajmë formën që të paraqitemi denjësisht kundër Francës”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024