Rama: Veriu, përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale
Lexohet për: 6 min.
EDI RAMA ( ISA HAZIRI PHT) (13)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se veriu i Kosovës është bërë si një vend parajsë për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave por një përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale, gjë që mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese.

Rama gjatë qëndrimitnë Vilnius të Lituanisë ku po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, ka thënë se është koha që të kombinohet rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s, nëpërmjet KFOR-it.

Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi ditën e sotme një bashkëbisedim me eksperten e Qendrës Europiane të Këshillit të Atlantikut, Rachel Rizzo, ka thënë se Shqipëria është një vend ku popullariteti i Vladimir Putinit shkon nga 0.7% deri në 1.2% dhe pyetja e madhe që gjithmonë shtrohet, është se si demokracitë mund t’i bëjnë ballë një diktatori ose një regjimi diktatorial në një konflikt sepse demokracitë duhet të luftojnë dhe në të njëjtën kohë duhet të dëgjojnë njerëzit. Ndërsa Vladimir Putin nuk ka kë tjetër të dëgjojë.

Rama ka theksuar se problemi i Ballkanit Perëndimor sot në lidhje me sigurinë ndoshta mund të mos jetë në të njëjtën madhësi të problemit të madh ukrainas, por nuk është aq i vogël sa të trajtohet si diçka e pavlefshme.

“Çfarë po ndodh, diçka që është me të vërtetë shumë e rrezikshme me pjesën e Kosovës së veriut që të bëhet një vatër zjarri me një kërcënim të hapjes së konfliktit dhe teksa lehtësimi i dialogut të BE-së punon me të dyja palët, me Beogradin dhe Prishtinën, ka një palë të tretë që është duke u ngritur, që janë pikërisht grupet ekstreme në Kosovën e veriut ku është krijuar në vite si një vend parajse për aktivitete kriminale, të trafikimit të drogës, trafikimit të armëve, prodhimit të kriptomonedhave dhe aty ku kjo amalgamë, kjo përzierje e politikanëve lokalë me botën kriminale dhe me një përzierje të interesave të mafies, përballë shqetësimeve kombëtare dhe të drejtave të njeriut, mund të jetë në të vërtetë një situatë shpërthyese dhe prandaj mendoj se është koha që të kombinojmë tashmë këtë dialog të lehtësuar nga BE, këtë rrugë diplomatike me një qëndrim më të fortë të NATO-s nëpërmjet KFOR-it”, tha ai.

Rama është pyetur edhe për sulmet kibernetike në Shqipëri, ku ka thënë se Shqipëria strehoi grupin MEK, grup opozitar iranian, por marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit.

“Praktikisht ne na u kërkua që të ndihmojmë me grupin MEK, grupin opozitar iranian që janë një kafshatë e fortë me thënë të drejtën sepse përndryshe ata do të ishin masakruar në Irak nga shërbimet sekrete iraniane dhe na u kërkua që të shpëtojmë jetët e tyre dhe shpëtimin e jetëve shqiptarët e kanë në ADN-në e tyre dhe kjo është parë në histori dhe i vetmi vend në Europë me popullatë më të madhe hebreje, sepse të gjithë ata u  ndjenë të sigurt në Shqipëri. Ne vend që të largoheshin nga vendi, po vinin gjithnjë e më shumë në Shqipëri dhe asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve dhe ne ishim shumë të lumtur që të prisnim 500 mijë refugjatë që i shpëtonin pikërisht spastrimit etnik në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Milloshevicit, i hapëm dyert për afganët nga Kabuli. Mijëra prej tyre erdhën dhe u shpëtuan në Shqipëri. Pra, ne bëmë po të njëjtën dhe me këtë grup opozitar iranian, por nuk është e njëjta në sensin, në kuptimin e rrezikut sepse janë opozita iraniane, megjithëse marrëveshja ishte e qartë që ata do të qëndronin në Shqipëri për të qenë të sigurt dhe jo për ta kthyer Shqipërinë në një platformë politike kundër regjimit. Fatkeqësisht, disa gjëra ndodhën dhe ne u sulmuam me një sulm në shkallë të gjerë, shumë i avancuar sa i përket shërbimeve kompjuterike dhe tashmë ishim një vend kryesor në Europë që jepnim shërbime online dhe ne u prekëm dhe për të rritur pikërisht sigurinë tonë kibernetike, na kërkohet më shumë mbështetje nga Kongresi dhe nga Senati, por kjo nuk është tashmë në lajme dhe kur nuk je në lajme, nuk je më problem dhe ne po përpiqemi që të bëjmë gjithçka për të fuqizuar sigurinë tonë kibernetike por nuk është e lehtë”, tha ai.

E sa i përket anëtarësimit të vendeve të ballkanit Perendimor në BE, Rama shtoi se vendet e rajonit tonë janë të bekuar që kanë aleatë SHBA-të dhe BE-në.

“Të shtosh 6 dhe nga Ballkani që sjellin shumë entuziazëm dhe gëzim, por jo durim nuk do ta bëjë procesin e vendimmarrjes më të lehtë, supozoj. Pra duhet të jetë diçka e kombinuar, por në përfundim mund të themi çfarë të duam për BE-në, por një gjë është e sigurt, pa BE-në ne nuk do të ishim në gjendje të bënim as 90% të atyre që kemi kryer në 30 vitet e fundit dhe pa SHBA-të që kanë dhe ata gjithashtu problemet e tyre dhe ne mund të themi çfarë të duam, por ne nuk do të ishim në gjendje të mbijetonim si komb shqiptar, pra nëse sot jemi të vendosur kaq mirë sa kemi kaq shumë progres të prekshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovën e lirë dhe të pavarur, pjesëmarrjen e plotë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut në jetën politike të Maqedonisë së Veriut apo të shqiptarëve në Malin e Zi që përfaqësohen mirë dhe meqë ra fjala, 6 vende ballkanike, 3 kryeministra shqiptarë, diçka mund të mos shkojë mirë, por gjithsesi është diçka që të vjen mirë. Mendoj se nuk duhet asnjëherë ta harrojmë që ne jemi të bekuar që të jemi në zemër të Europës dhe të kemi këto dy aleanca strategjike të mëdha si SHBA-të dhe BE-ja dhe sigurisht pasi të kemi  kryer detyrat gjatë ditës, në mbrëmje mund të tallemi me ta sepse pa shakatë dhe humorin, Ballkani do të kishte vdekur me kohë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024