Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se një samit i Bashkimit Evropian në kryeqytetin e vendit të tij këtë javë demonstron interesat e rritura gjeostrategjike të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë, shkruan faqja apnews.com.
Kryeministri shqiptar Edi Rama do të jetë pritësi i takimit njëditor që synon nesër rindezjen e procesit të zgjerimit të BE-së.
Rama ka kritikuar më parë BE-në për hezitimin për të pranuar anëtarë të rinj. Gjashtë vendet në qendër të samitit – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – kanë marrë siguri për vite me radhë, por kanë parë se hapat e tyre drejt anëtarësimit janë bllokuar.
Sipas Ramës, lufta në Ukrainë siguroi një kujtesë të cenueshmërisë së rajonit dhe i dha BE-së një nxitje për t’i çuar vendet e Ballkanit Perëndimor në bashkësinë demokratike të Evropës.
“Zëri i përbashkët i Ballkanit Perëndimor… ndihmoi të shtyjnë më shumë liderë të BE-së për të çuar vendet në rrugën e anëtarësimit sepse iu duhet Ballkani Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE-në”, tha Rama.
Kryeministri e quajti takimin e nesërm “ngjarja më e rëndësishme në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare (të Shqipërisë)”, duke vënë në dukje se vendi ish-komunist ishte deri në vitin 1990 plotësisht i shkëputur nga bota dhe nga Evropa”.
”Vendimi i BE-së për të mbajtur samitin jashtë territorit të saj është një ogur i mirë për të ardhmen”, shtoi ai.
Me përjashtim të Kosovës, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia vetëm në vitin 2008, vendet e Ballkanit Perëndimor u identifikuan për herë të parë si kandidatë potencialë të BE-së në vitin 2003.
Blloku ra dakord të fillojë bisedimet e anëtarësimit të plotë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik dhe ka zhvilluar diskutime të tilla me Serbinë dhe Malin e Zi për disa vite.
Komisioni ekzekutiv i BE-së rekomandoi Bosnjën si një anëtare kandidate në tetor. Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të aplikojë për shqyrtimin e kandidaturës këtë muaj.
Rama argumentoi se marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht atyre që përbënin ish-Jugosllavinë, nuk kanë qenë kurrë më të mira, megjithëse ai pranoi se refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës “është ende si elefanti në një dhomë”.