Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot në Vlorë një bashkëbisedim me operatorët turistik mbi sezonin turistik, rritjen e cilësisë së shërbimeve, mbështetjen për sipërmarrësit e turizmit dhe promovimin e Vlorës si një portë e rëndësishme e turizmit shqiptar në qendër të vëmendjes globale.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se ka patur një rritje të shifrave të turistëve për muajn mars, krahasuar me një vit më parë nga vende të ndryshme të Evropës si dhe nga SHBA.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te transformimi urban i Vlorës, duke kujtuar gjendjen e zonës së Lungomares një dekadë më parë, raporton ATSH.
“Vija që sot është Lungomare ishte një rrugë me dy korsi dhe në njërën ishte deti që shikohej copa-copa se ishte mbushur me ndërtime dhe nga ana tjetër ishin gropa e mbeturina nga ndërtimet e reja. Në të gjithë vazhdën e ndërtimeve në Lungomare, katet e para ishin bosh. Ky ishte realiteti. Kjo ishte Vlora para një dekadë. Për tu bërë Lungomare u deshën vitet e mandatit të parë”, tha Rama.