Rama poston foto para darkës me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka postuar foto në llogarinë e tij në Facebook para darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane dhe BE-së, e ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

Rama sonte është takuar në Shkup me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, por nuk ka dhënë detaje nga diskutimet.

Plani i Rritjes Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, do të mbledhë të hënën në Shkup liderët e Ballkanit Perëndimor. Mikpritës i takimit të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, do të jetë kryeministri i këtij vendi Dimitar Kovaçevski.

Në takim marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Srgjan Amidzhiq, sipas njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Në takim marrin pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman dhe ndihmës sekretari i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O'Brien.

Pjesë e tryezës do të jenë edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Financave, Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Organizatat rajonale, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), CEFTA dhe Forumi i Investimeve të Odave të Gjashtës së Ballkanit Perëndimor, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, marrin pjesë në takimin për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shkup.

Në nëntor 2023, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin 6 miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar bashkëpunimin social-ekonomike me BE-në.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024