Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, është më i miri që ka qenë ndonjëherë në tavolinë. Pak orë para takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Rama tha se janë në krah të Kosovës dhe i urojnë Kurtit, kthjelltësi, vendosmëri dhe sukses.
Në konferencë për medie me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare ku u nënshkruan disa marrëveshje, Rama tha se megjithatë iu mbetet Kosovës dhe Serbisë të vendosin për fatin e tyre.
Lidhur me takimin e sotëm Kurti-Vuçiq, foli edhe Abazoviq, i cili tha se plani franko-gjerman sjell normalizimin në rajon.
“Ne sot e kemi nis një mesazh se jemi të gatshëm për bashkëpunim. Besoj se ky mesazh që e nisëm prej Podogrice është universal edhe për shtetet të tjera. Sa i takon qeverisë së Malit të Zi, ne maksimalisht e përkrahim dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Plani franko-gjerman është një plan i mirë se duhet me pas normalizim në rajon, ne nuk kemi të drejtë të themi se çka me bërë dhe si me vepru politikisht, por ajo çka është ardhmëria jonë, është bashkëpunimi”, shtoi ai.
“Unë këmbëngul se Ballkani i Hapur dhe këtu kemi dakordësi të plotë me kryeministrin e Malit të Zi se është i domosdoshëm për të jetësuar me një ritëm më të shpejtë të gjitha ato që janë parime dhe kërkesa që burojnë nga Procesi i Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo dhe natyrisht edhe në këtë samit të radhës, pasi të japim dakordësinë dhe të tjerët do të ftohen të gjithë të jenë pjesë. Nuk ka asnjë kundërshti mes (Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur), por kanë nevojë për njëra-tjetrën. Ne nuk mundemi të mjaftohemi me lidershipin e Berlinit në një proces që është i ballkanit, por duhet të vëmë fuqitë tona të përbashkëta për të jetësuar ato parime dhe ide që janë themele të Procesit të Berlinit”, tha ai.
Rama është ndalur edhe te rasti i sulmit të policit malazezë ndaj profesorit shqiptar.
Në kuadër të kësaj mbledhje të përbashkët, midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave deklarata e përbashkët midis kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Të dy kryeministrat nënshkruan edhe marrëveshjen bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës, si dhe marrëveshjen për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Më pas, u nënshkruan nga ministrat përkatës të dy qeverive, marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë.