Rama para ndeshjes Shqipëri-Spanjë: Do të dalim me kokën lartë
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka motivuar lojtarët e Kombëtares Shqiptare në prag të ndeshjes jetike kundër Spanjës në Kampionatin Evropian të futbollit.

Shqipëria do të këkrojë fitoren, ose së paku barazimin në kërkim të fazës tjetër të Euro 2024, dhe zbret sonte në fushë ndaj liderit të grupit, Spanjës, e cila tashmë ka siguruar kualifikimin tutje.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka thënë se tashmë djelmoshat kuq e zi tashmë e kanë dëshmuar se dinë të bëjnë gjëra të mëdha, madje edhe në një “grup të vdekjes”

“Askush nuk do ta besonte me mendje - me zemër tjetër punë - që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”. Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”, ka shkruar Rama.

Ai më tutje ka shtuar se sfida me Spanjën është shumë e rëndësishme, por që pavarësisht rezultatit,, Shqipëria do të dal me kokën lart nga ky kampionat.

“Sot përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100% i pamundur. Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Evropiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë. Cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës”, ka përfunduar Rama.

Ndeshja Shqipëri-Spanjë fillon nga ora 21:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024