Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se Ballkani është rajoni ku Rusia ka influencën e vetë më të madhe në kontinentin e Evropës.
“Përtej atyre kufijve të atyre republikave gjysmë të varura, gjysmë autonome andej nga stepat, sigurisht se Ballkani është edhe hallka më e dobët e gjithë zinxhirit të vendeve të Evropës në raport me influencën ruse. Brenda Ballkanit kemi dy realitete komplet të kundërta. Kemi realitetin shqiptar, të Shqipërisë dhe të Kosovës, ku influence ruse është minimale edhe pse përpjekjet e Rusisë për të influencuar këtu nuk kanë munguar”, ka deklaruar Rama, përcjell The Geopost.
Ai ka nënvizuar se tentime për të krijuar trazira ka pasur edhe në Shqipëri, ani se ndikimi i Rusisë është i vogël.
Përskaj ndikimit të madh rus në Serbi, Rama ka thënë se ka qenë e jashtëzakonshme që e gjithë gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor ka mbajtur unitetin në raport me luftën në Ukrainë në aspektin politik dhe aspektin institucional në Kombet e Bashkuara.
“Emocionet janë të rëndësishme për të bërë filma, për të shkruar kujtime, për të përjetuar historinë tënde për t’ia kaluar atë brezave, por interesat janë ato që vendosin në marrëdhëniet mes shteteve dhe në marrëdhëniet e një rajoni”, ka thënë kryeministri shqiptar.
“Cili është interesi ynë? Që Serbia të izolohet, që Serbia të kthehet në një forcë destruktive apo që Serbia të integrohet me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat, me të gjitha ato përpëlitjet e veta në këtë komunitet dhe që çdo kërcitje këtu që kthehet, përkthehet në shkrehje armësh dhe në njerëz jeta e të cilëve vihet në rrezik të evitohet. Unë them që kjo e dyta është më e rëndësishme. Cila është më e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tanë në këtë rajon, që t’iu trashëgojmë atyre pasionin për të luftuar kundër njëri-tjetrit dhe mbi të gjitha gjëja që shqiptarët kudo ku janë dhe ata të Kosovës në mënyrë të posaçme, duke qenë se ata kanë pasur pjesën më të madhe të vuajtjes nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit, s’duhet ta harrojnë kurrë, që shqiptarët e kanë fituar luftën. Shqiptarët e kanë fituar luftën e tyre”, ka deklaruar Rama.
Informacionet e operimit të grupeve paramilitare ruse në veri të Kosovës, tentimet për puç në Mal të Zi në vitin 2016 dhe në Maqedoni të Veriut në vitin 2017, Rama i sheh si rrezik ndaj të cilit rajoni duhet të jetë më syçelë.