Qyteti bregdetar i Durrësit mbetet një nga destinacionet kryesore të turistëve vendas e të huaj për të kaluar pushimet verore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet e Durrësit të mbushura me turistë.
Afërsia me Tiranën ka ndihmuar gjithashtu që banorët e kryeqytetit të kenë shkëputjen perfekte gjatë fundjavës më pak se një orë larg.
Disa nga plazhet më të frekuentuara janë; plazhi në Gjirin e Lalzit, i cili ndodhet 30 km në veri të Durrësit. Plazhi që shtrihet nga Shën Pjetri deri në drejtim të Rrushkullit ofron një det fantastik dhe rërë të pastër.
Plazhi i Currilave dhe i Kallmit vijnë njëri pas tjetrit dhe janë dy nga plazhet më të njohura të Durrësit falë dhe afërsisë me qytetin. Mes të dyjave Plazhi i Currilave është më i populluar, ndërsa ai i Kallmit preferohet nga familjet me fëmijë për shkak të cekësisë së ujit.
Plazhi i Karpenit në Spille, falë plot plazheve të virgjëra, kjo vijë bregdetare është për ata që duan të shijojnë detin dhe rërën në qetësi dhe të shkëputur nga zhurma apo popullimi i zonave të tjera.