Rama i përgjigjet VV-së: Kemi bërë një numër të madh të projekteve deri më tash
Lexohet për: 3 min.
Foto4
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama iu është kundërpërgjigjur akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje për mos kryerje të punëve, duke thënë se kanë kryer punë mjaft të mëdha që nga marrja e postit të kryetarit.

Rama ka thënë ndër projektet që janë duke u marrë është problemi me qentë endacakë, e ku sipas tij kanë caktuar një hapësirë 10 hektarësh.

“Na duhet opozita për të kryer punë, mirëpo nuk është se e kemi pritur opozitën për të kryer punë, sepse siç e ceka kemi bërë një numër të madh të projekteve deri tash jemi marrë me gjëra..., probleme të mëdha me qentë endacakë që e kemi pasur dhe kemi realizuar dy konferenca deri më tash, konferenca e parë ka qenë me organizata jo qeveritare me përfaqësues të BE-së dhe kemi marrë vendime për të caktuar një pronë 10 hektarësh për qentë endacakë. Përveç kastrimit e sterilizimit të qenve aty do të ketë mundësi të tjera t’i strehojnë qentë apo t’i adoptojnë. Kemi shtyrë përpara rregulloren qysh çdo person, çdo familje e merr një qen ta regjistrojë, tash sot kemi pasaportat  e kafshëve, pra qentë vetëm kanë filluar të regjistrohen”, tha Rama.

Për më tepër kreu komunal përmendi projektet edhe për komunikacionin rrugor, e që shton se kanë bërë edhe lirimin e dy hapësirave publike në lagjet Taslixhe dhe Lagjja e Spitalit.

“Aspekti tjetër, lirimi i hapësirave publike i kemi pasur dy pika që 8 vjet e kanë zënë hapësirën publike në Taslixhe, ato lojërat e fëmijëve kanë qenë shumë të këqija për shëndetin e fëmijëve apo të njerëzve që kalojnë sepse kanë mbetur aty me vite të tëra... Pjesa tjetër te spitali aty ka qenë hapësira publike e uzurpuar prej të njëjtave hekura për 7-8 vjetët e fundit. Jemi duke analizuar në mënyrë të vazhdueshme komunikacionin, shenjëzimin vertikal, atë horizontal dhe këto janë projektet në bazë të cilave do të fillojmë shenjëzimin horizontal”, ka thënë ai

Rama ka thënë se është diskutuar edhe mundësia për 30 autobusë shtesë, ndërsa ka shtuar do të bëhen ndryshime edhe me “Prishtina Parking”.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025