Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbështetja jonë për njësinë e re të Nanoteknologjisë në Shqipëri është e padiskutueshme dhe kam dëshirë e besim që kongresin e tretë ta kemi në Tiranë me rezultatin konkret dhe me realitetin konkret të njësisë, e cila brenda një viti do të jetë plotësisht e ngritur”.
Në fjalën e tij në Konferencën Ndërkombëtare të Trendeve në Nanoteknologji tha se “projekti që nuk keni arritur dot ta fitoni prej 20 milionë euro do të mund të fitohet bazuar edhe në faktin që ka njësi këtu që është operative dhe për momentin të jemi të kënaqur me shumën prej 1 milion e ca euro që keni fituar nga BE”.
“Është një proces që nuk do të kishte ndodhur pa lidershipin e ri të Akademisë së Shkencave nga prof Skënder Gjinushi, i cili si në moshë të re e më pak të re i ra barra të jetë gjithmonë tubulluesi i ujërave të ndenjura dhe faktikisht ASH nga një hapësirë përshpirtjeje ku më shumë e mbanin në këmbë të vdekurit se të gjallët është kthyer në një pikë referimi që dalëngadalë po çel dyer që dukeshin krejtësisht të pamundura në botën në të cilën akademia ishte kyçur”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “jam i inkurajuar dhe entuziazmuar sot këtu në këtë kongres ku asnjë i pranishëm nuk është një delegat që nuk e di se për çfarë ka ardhur, por përfaqësojnë një përpjekje të përbashkët në një drejtim ku vendi ynë ka më shumë se në çdo drejtim tjetër për të bërë”.
Rama u shpreh se është ide legjitime dhe një e drejtë legjitime për të synuar universitetet më prestigjioze europiane mbi bazën e rezultateve të shkëlqyera këtu në shkollën e mesme.
“Është fakt që shqiptarët vajzat e djemtë që mbarojnë të mesmen në Shqipëri shkëlqejnë në universitetet më prestigjioze dhe është fat që mesatarja e rezultatet e tyre në universitetet evropiane është në mesataren më të lartë të studenteve të huaj në ato universitete ç’ka tregon se baza në arsimim është fuqizuar dhe përmirësuar, por nga ana tjetër na vë përpara përgjegjësisë që të fuqizojmë dhe përmirësojmë universitetin”.
Konferenca Ndërkombëtare e Tendencave në Nanoteknologji është një ngjarje e shënuar në kalendarin e Nanoshkencës shqiptare, sepse forcon më shumë bashkëpunimin mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe fondacionit “Phantoms” në Spanjë, si një nga aktorët kyç në nxitjen e ndërveprimit në këtë terren.
Kjo përfshirje aktive e ekspozon shkencën shqiptare ndaj sistemeve më novatore europiane e botërore dhe përmes këtyre eventeve shkencore me peshë./atsh/