Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot ka përditësuar sërish në orën 11:27 rezultatet preliminare të partive politike për zgjedhjet e 9 shkurtit nga numërimi i të gjitha vendvotimeve sa ishin 2533 në tërë komunat.
Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342 mijë e 254 ose 40.80 %, PDK ka marrë 184 mijë e 936 ose 22.05 %, pasuar nga LDK-ja e cila ka marrë 147 mijë e 928 ose 17.64 % dhe koalicioni AAK, Nisma Socialdemokrate, ka marrë 62 mijë 588 ose 7.46 %
Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.