Rama fajëson Putinin për luftën: Donte ta fshinte brenda ditës nga harta Ukrainën
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën hapëse të Samitit mes Ukrainës dhe vendeve të Evropës Juglindore, fajësoi presidentin Putin si shkaktarin e luftës në Ukrainë.

Në nisje të punimeve të samitit u shfaq një video me mesazhe solidarizuese të liderëve botërorë për Ukrainën.

Rama tha se ëndrrat e vjetra perandorake të Putinit janë ato të cilat kanë shkaktuar luftën e armatosur. Sipas shefit të qeverisë, lideri rus donte që ta fshinte nga harta brenda ditës Ukrainën, por ai nuk ia ka dalë, pasi përkundrazi sot Ukraina është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian.

“Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga vendimi i një njeriu i trajtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake. Prania juaj këtu është një kujdesë që ai nuk ia ka dalë. Pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike Rusia neo-imperialistë nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk ia ka dalë të shtyp vullnetin e Ukrainës të jetojë në një vend të lirë, nuk ia ka dalë të shtyp të vërtetën, kontrasti nuk mund të jetë më i madh se aq. Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta brenda ditës, por Ukraina sot është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë”, tha Rama.

Ai nga ky forum ka bërë thirrje Rusisë që ta ndal luftën, pasi duan një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

Rama shtoi se të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë.

Sipas tij, vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrihet vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024