Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka urdhëruar dhënien e medaljes “Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike” për ish-kryeministrin Fatos Nano.
Mirënjohja është ndarë me motivacionin për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues e demokratik në Shqipëri.
“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, ka shkruar Rama.
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-lideri Partisë Socialiste, Fatos Nano, po përballet me komplikime shëndetësore dhe si pasojë është shtruar në spital.
Fatos Nano i cili është kryetari i parë i PS-së, ka shërbyer kryeministër i Shqipërisë në periudhat 1991, nga 1997-1998 si dhe më 2002-2005.