Rama arrin në Madrid, Shqipëria pjesëmarrëse në panairin ndërkombëtar të turizmit FITUR
Lexohet për: 3 min.
ramaaa-230124
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Shqipëria do të prezantojë potencialet e saj turistike përmes një agjende të nivelit të lartë nën organizimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Panairin Ndërkombëtar Fitur, Madrid i cili mbahet nga 24 deri në 28 janar.

Në ceremoninë e hapjes së panairit do të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili tashmë ka arritur në Madrid, ku u prit nga homologu spanjoll, Pedro Sanchez.

Në stendën e Shqipërisë gjatë ditëve të këtij panairi ndërkombëtar të turizmit, përveçse do të prezantohet diversiteti i ofertës sonë turistike mes 152 vendesh pjesëmarrëse, do të mbahen gjithashtu takime të nivelit të lartë mes ministres Mirela Kumbaro dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me ministra dhe personalitete shtetërore për çështjet e turizmit e të mjedisit, përfaqësues të biznesit privat e industrisë së turizmit.

Ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime me Ministrin e Turizmit dhe Tregtisë në Andorra, Jordi Torres Falco si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkimit Europian dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Jose Manuel Albares. Gjithashtu, ministrja Kumbaro do të diskutojë çështje të turizmit dhe mjedisit në takimet me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Mjedisit Hugo Moran Fernandez si dhe me Sekretaren e Shtetit për Turizmin, Rosana Morillo.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një komunikimi publik, prezantoi spotin promovues të stendës së Shqipërisë, një parajsë e turizmit lokal përballë turizmit global. "Me një agjendë të nivelit të lartë dhe shumë takime me turoperatorë e përfaqësues të sektorit të turizmit në “shtëpizën” tonë ujdisur me shumë përkushtim nga stafi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në këtë panair ndërkombëtar prezantojmë diversitetin e pasur turistik, një oaz i parajsave të vogla, lokale e mikpritjeje shpirtërore që qëndron me krenari përballë turizmit global e gjitha për t’u zbuluar", është shprehur ministrja Kumbaro.

Shqipëria prezanton në këtë ngjarje të rëndësishme për turizmin, modelin e saj të diversitetit turistik nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me mjedisin. Nën sloganin “Albania, all you need is here”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacone të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.

Për vitin që shkoi, Shqipëria priti 87 mijë vizitorë spanjollë, ndërkohë që media e njohur spanjolle “El Debate” e ka shpallur Shqipërinë si ‘destinacionin trend’ për vitin 2024, duke rritur pritshmëritë për tërheqjen e vizitorëve nga ky shtet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024