Rama: 67 mijë vizitorë gjatë korrikut në parkun Divjakë-Karavasta
Turizem
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

I cilësuar si një nga parqet kombëtare më të vizituara për turizmin natyror dhe atë të vëzhgimit të shpendëve ujore, Divjakë-Karavastaja vitet e fundit është kthyer në destinacionin e mijëra turistëve vendas e të huaj.

Vetëm gjatë muajit korrik, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta priti 67 mijë vizitorë.

Shifrat i bëri të ditura sot kryeministri Edi Rama, ndërsa publikoi pamje nga ky park, i cili shtrihet rreth 5 km larg Divjakës.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, i shpallur zonë natyrore e mbrojtur që nga vitit 1995 dhe zgjeruar si park nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Si një ndër zonat më të rëndësishme komplekse të Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit, Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore.

Turistëve në këtë park iu ofrohet një guidë përgjatë 5 km, ku ata njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut. Gjatë vizitës në park turistët mund të zhvillojnë disa lloje aktivitetesh si ecje në natyre (rreth 50 km shtigje), vëzhgimi i shpendëve, piknik, vozitje me varkë, kamping, xhiro me biçikleta e kajakë, vizitë në site arkeologjike dhe ato fetare.

Kulla panoramike, varkat për të shëtitur vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra./.ATSH

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024