Radoica Radomiroviq dorëzoi kallëzim penal për projekte publike në Komunën e Leposaviqit
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Radoica Radomiroviq dorëzoi kallëzim penal për projekte publike në Komunën e Leposaviqit
Arbnnora
05/06/2026 - 16:06
Linku u kopjua

Në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Departamenti për Krime të Rënda, Radoica Radomiroviq ka dorëzuar një kallëzim penal kundër personave zyrtarë përgjegjës dhe personave të tjerë që mund të identifikohen gjatë procedurave hetimore, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në realizimin e projekteve publike në Komunën e Leposaviqit.

Sipas kallëzimit, ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e mjeteve publike, mashtrimin dhe keqpërdorimet në prokurimin publik, falsifikimin e dokumenteve zyrtare, si dhe veprime të tjera që lidhen me menaxhimin, miratimin, likuidimin dhe pagesën e projekteve publike në këtë komunë.

Në dokument thuhet se kallëzimi është drejtuar ndaj personave përgjegjës në Komunën e Leposaviqit, autoritetit kontraktues, njësive që kanë iniciuar procedurat e prokurimit, zyrtarëve të prokurimit publik, menaxherëve të kontratave, personave përgjegjës për pranimin e punimeve dhe shërbimeve, zyrtarëve financiarë, si dhe personave të autorizuar për miratimin, likuidimin dhe realizimin e pagesave.

Në dosjen e bashkëngjitur përmenden edhe disa persona dhe kompani, për të cilët kallëzuesi kërkon që të jenë pjesë e hetimeve. Sipas dokumentit, statusi procedural, roli dhe shkalla e përgjegjësisë së secilit person duhet të përcaktohen përmes hetimeve dhe sigurimit të dokumentacionit përkatës, përfshirë dokumentet e prokurimit, evidencat financiare, dokumentacionin kontabël, të dhënat bankare dhe autorizimet zyrtare.

Kallëzimi bazohet në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Kosovës, duke përfshirë veprat penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrimin dhe keqpërdorimin në prokurimin publik, konfliktin e interesit, përvetësimin në detyrë, mashtrimin në shërbim dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026