Radev: Industria e automobilave është dëshmi se Bullgaria mund të zhvillohet shpejt
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

"Industria e automobilave është prova e gjallë se Bullgaria mund të zhvillohet jashtëzakonisht shpejt në një sektor që përcakton të ardhmen e Evropës dhe botës", tha presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev në hapjen e një forumi, të titulluar "Industria automobilistike takohet me qeverinë", njoftoi të mërkurën zyra për shtyp e presidentit Radev.

Takimi me përfaqësues të industrisë së automobilave dhe institucioneve organizohet nga Automotive Cluster Bulgaria dhe Shoqata e Prodhuesve të Veturave.

“Ju keni vërtetuar se brenda një dekade kemi arritur nivelet aktuale prej 11% të PBB-së, 75,000 vende pune dhe të ardhura të mëdha. Kjo tregon një forcë ekstreme: industriale, shkencore, teknologjike dhe të personelit. Në Evropë ka procese të mëdha për transformimin e transportit, lëvizshmërinë elektrike, zhvillimin e teknologjive të reja të pastra të cilat do të vendosen në treg shumë shpejt”, tha Radev.

Sipas tij, Bullgaria ka shansin e madh, themelet dhe aftësitë që të bëhet pjesë integrale e këtyre proceseve.

“Bullgaria zë vendin e gjashtë në BE për sa i përket prodhimit, nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit dhe plumbit, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për lëvizshmërinë elektrike”, tha Radev.

Sipas tij, komuniteti i biznesit dhe shteti duhet t'i vendosin vetes ambicie shumë më të larta, të kenë një strategji të qartë se si do të zhvillohet sektori dhe kjo strategji të pasqyrohet në legjislacionin e hartuar për lëvizshmërinë elektrike dhe në buxhet.

Sipas tij, pothuajse në të gjitha makinat evropiane ka pjesë, komponentë, softuer të prodhuar në Bullgari.

“Një synim i arritshëm është që Bullgaria të jetë lider në prodhimin e makinave në Ballkan dhe Evropën Juglindore. Bullgaria duhet të kapërcejë disa efekte negative: parkingu më i vjetër në BE, vjetërsia mesatare e makinave është mbi 20 vjet dhe ndotja është e lartë në qytetet e mëdha”, tha ai.

Radev mori shembull Rumaninë ku për blerjen e një makine elektrike blerësi merr një stimul serioz financiar nga shteti. “Vitin e kaluar Bullgaria ishte e para në rritjen e regjistrimeve të makinave elektrike, tha presidenti./BTA-KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024