Mbi 100 vëzhgues të BE-së do të monitorojnë zgjedhjet e 9 shkurtit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 orë më parë
Linku u kopjua
Shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE Nathalie Loiseau deklaroi se mbi 100 vëzhgues do të shpërndahen në terren për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ajo në një konferencë për media sot tha se parimi themelor i Misionit për Vëzhgimin e zgjedhjeve janë paanshmëria dhe profesionalizmi.
“Në momentin e zgjedhjeve do të jenë mbi 100 vëzhgues të zgjedhjeve në Kosovë. Misioni i BE-së është i vetmi mision i plotë ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve me prani afatgjate që do të vëzhgojë zgjedhjet parlamentare në Kosovë në këtë vit”, tha Loiseau.
Loiseau tha se të dielën më 19 janar do të vijnë 18 vëzhgues afatgjatë nga 18 shtete të ndryshme të cilët do të shpërndahen nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Ajo potencoi se vëzhguesit afatgjatë janë të pavarur dhe të paanshëm.
Përveç kësaj, shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian theksoi se pak para datës së zgjedhjeve, misioni do të përforcohet edhe me 36 vëzhgues afatshkurtër.
Kjo është hera e shtatë që BE është duke vëzhguar zgjedhjet në Kosovë. Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga BE dy ditë pas zgjedhjeve do të mbajë edhe një konferencë për media, ku do të ndahet deklarata preliminare e misionit. Ndërsa pas dy muajsh do të publikohet raporti gjithëpërfshirës.