Qytetarët e quajnë të drejtë vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në vendin tonë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe nevojitet një marrëveshje ndërmjet dy shteteve. Ndërkohë që Serbia ka vendosur të hapë pika të votimeve në territorin e saj për serbët që do të votojnë më 3 prill.
“Vendim i drejtë plotësisht, sepse shteti i huaj në shtetin e huaj, nuk është e logjikshme për të mbajtur zgjedhje, duhet të ketë marrëveshje, për të dërguar kërkesë shtetit tjetër, se a mund t’i mbajë zgjedhjet në territorin tënd... jo sikur nuk ekzistojmë si shtet dhe të veprojnë si të dojë në shtetin tim. Vendimi i Qeverisë tonë është shumë me vend”, tha ai.
Rexhep Krasniqi, qytetar tjetër, ka thënë që serbët mund të mbajnë zgjedhje vetëm në shtetin e tyre.
Ndërsa Avdi Tasholli thotë se Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhjet e saja edhe në shtetin e Kosovës.
“Shumë korrekt, shumë i drejtë... Ata kanë dy nënshtetësi... Mirë po ia bëjnë, është e drejtë e shtetit normal, me Kushtetutë punojnë”, tha ai.
“Vendim shumë i mirë, por nëse mundemi me mbajt, me i dalë zot, se vendim i mirë është. Ata të vijnë prej atje... të komandojnë në vend tonë, nuk bënë të lejohen aspak. Shpresojmë të na ndihmojë perëndimi, se na s’jemi të fortë për t;i ndaluar”, tha ai.
Faza Tasholli, po ashtu është pro këtij vendimi, duke thënë që këtë vend e kemi fituar me gjak.
Ndërsa një tjetër qytetar, Hashim Hashimi, ka thënë që vendimi është shumë i duhur, sepse as Kosovës nuk i lejohet mbajtja e zgjedhjeve në Serbi.
“Shumë me vend, pse shqiptarët s’po mbajnë në Serbi, atje shkoni”, tha ai.
“Serbët për çfarë arsye duhet të organizojnë zgjedhje, kur ata në rend të parë na kanë vrarë e masakruar dhe ende kanë dëshirë të marrin territor, por nëse shteti i Kosovës ekziston si shtet, atëherë ata duhet t’i respektojnë të gjitha rregullat që ekzistojnë brenda një shteti ku jemi ne, dhe për këtë arsye nuk duhet lejuar asgjë që manipulohet nga Beogradi”, tha ai.
Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020 të mbajtura sipas një praktike të mëhershme, ku misioni OSBE i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.