Qytetarët: Çmime të shtrenjta dhe papastërti në pishinën e Gërmisë
Lexohet për: 3 min.
pishina e germise
1 vit më parë
Linku u kopjua

Pishina e Gërmisë ka shënuar dyfishin e rritjes së çmimeve të biletave në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë pesë ditëve të javës, çmimet për biletën hyrëse variojnë nga 2 euro për fëmijë dhe 4 euro për të rritur. Ndërsa, në vikend, çmimi i hyrjes për të rritur bëhet 5 euro, kurse për fëmijë çmimi mbetet i njëjtë. Ndërkohë që, çmimi i biletës mujore është 50 euro. Rritja e çmimeve ka ndikuar që vizitorët të ankohen, duke mos anashkaluar edhe nivelin e papastërtisë.

Qytetarët janë shprehur për KosovaPress, se çmimet e biletave hyrëse janë të larta, e po ashtu edhe ato të pijeve dhe të ushqimeve.

Qytetari Nol Ukaj, i cili ishte në pishinën e Gërmisë me bashkëshorten dhe tre fëmijët, tha se sivjet çmimet janë dyfish më të shtrenjta në krahasim me vitin e kaluar.

Për të ardhurat që janë në vendin tonë, Ukaj tha se beson që nuk ia vlen të vizitohet pishina e Gërmisë. Sipas tij, niveli i pastërtisë nuk është në nivelin e duhur.

Se çmimet janë të larta në pishinën e Gërmisë e pohoi edhe Nuhi Cubaj. Ndër të tjera, ai tha se çmimet e larta bëjnë që ai mos të shkojë më në pishinë.

Ndërsa, Valmir Halimi përveç çmimeve të larta, u ankua edhe për papastërtinë në këtë pishinë.

Në anën tjetër, Ismajl Sadiku nga Prishtina, i cili për sivjet, sot e vizitoi për herë të parë pishinën e Gërmisë, tha se i pëlqen se si është bërë pishina.

Për çmimin e hyrjes, ai tha se nuk është i shtrenjtë, por sipas tij, të shtrenjta janë ushqimet dhe pijet.

Shaban Bicaj tha se çmimet nuk janë edhe aq të larta, derisa potencoi se askund nuk ka më lirë.

Ndërkohë që, për sigurinë e qytetarëve në pishinën e Gërmisë, kujdesen 12 persona nga ekipi i shpëtimtarëve.

Përgjegjësi i këtij ekipi, Shefqet Hasani, tregoi se këtë vit u bënë 20 vite prej kur ai punon si shpëtimtar në këtë pishinë.

Hashani u shpreh se ndodhin shpesh situata kur ka nevojë për ndërhyrje, por e specifikoi rastin kur ai kishte shpëtuar një familje tre anëtarëshe nga përmbytja.

Hashani iu bënë apel prindërve që t’i vëzhgojnë fëmijët e tyre përgjatë vizitës në pishinë, sepse sipas tij, ua lehtësojnë punët edhe atyre si shpëtimtarë, por edhe vetvetes.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024