Qytetarë të shumtë vizitojnë Prekazin: Sakrifica e familjes Jashari e jashtëzakonshme për liri
Lexohet për: 2 min.
prekaz-qytetaret
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Në ditën e 17 shkurtit, ku para 16 vjetësh në këtë datë Kosova shpalli pavarësinë e saj, mijëra qytetarë vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, me ç’rast shprehën nderime për sakrificën e të rënëve për liri.

Qytetari Ali Kpuzi nga Mitrovica, derisa bëri homazhe pranë varreve të familjes së Jashari, tha se sakrifica e tyre ka qenë çlirimi i tokës tonë, për çka shtoi se për një kohë të shkurtër Kosova ka përparuar shumë.

Kpuzi konsideroi se falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi ynë ka arritur që të përmbushë më shumë se 80 për qind të qëllimeve që pati.

Po ashtu, edhe Asllan Asllani nga Prishtina tha se nuk duhet harruar historia dhe e kaluara e popullit të Kosovës.

Porosia e Asllanit është që të jemi të bashkuar duke lënë anash interesat personale, duke shpresuar në bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha se ka ardhur me autobus nga Prishtina me rreth 100 pensionistë të tjera për të nderuar sakrificën e familjes Jashari.

Musa Buzhala tha se 17 shkurti është një ditë e madhe për të cilën Kosova ka pritur me shekuj.

Ai tha se familja Jashari është e shenjtë.

Ndërsa, qytetari Shaban Tahiri, derisa vizitoi e bëri nderime tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, tha se pikërisht aty ka lindur pavarësia e Kosovës.

Ai tha se ka marrë me vete edhe nipin e mbesën për t’i treguar ngjarjet dhe historinë e lirisë së Kosovës.

Përveç qytetarëve, krerë të lartë shtetëror gjatë ditës bënë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024