Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë vendimesh në mbledhjen e sotme. Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti themeloi Këshillin Organizativ për manifestimin gjithë popullor për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me datë 5,6 dhe 7 mars 2022. Ekzekutivi miratoi dy marrëveshje financiare me BE-në për IPA 2021 dhe IPA 2022 në vlerë 125 milionë euro, ndërkohë i dha dritë të gjelbër marrëveshjes për kornizën financiare me Komisionin Evropian për IPA III. Qeveria mori vendim edhe për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj 183 individëve dhe 26 entiteteve Bjelloruse në ndërlidhura me presidentin Aleksandër Lukashenko. Krahas këtyre, sugjeruan Agjencinë Kosovare të Privatizimit që të mos vendosë në shtije asete potenciale që do të barten në fondin sovran.
Kryeministri, Albin Kurti para vartësve të tij tha se Epopeja e UÇK-së ndryshoi historinë për mbarë të Kosovës.
Duke arsyetuar marrëveshjet me BE-në për IPA 2021 dhe IPA 2022, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se të njëjtat do të përdoren për projektet për mjedisin, bujqësinë dhe efiçencën e energjisë.
“Kosova përmes saj përfiton siç e tha kryeministri 63 milionë euro nga BE-ja dhe atë për projekte si përkrahje për mjedisin, tregti bashkë me tregun e brendshëm, përkrahje për bujqësi dhe zhvillimin rural dhe përkrahje për komunat, deminimi etj. Këto fonde kombinohen me bashkëfinancime edhe të qeverisë së Kosovës në vlerë prej 16 milionë euro, si dhe financimi me partnerët e tjerë në shumë prej 3.8 milionë euro[...]Kjo marrëveshje financiare mundëson implementimin e programit vjetor IPA 2022 përmes së cilës ne përfitojmë nga BE-ja 70.5 milionë euro. Këto mjete do të përdoren për projekte të ndryshme, si përkrahje për mjedisin, energjinë e gjelbër dhe efiçencën e energjisë”, tha ai.
“Masat restriktive konsistojë në ndalimin e udhëtimit në territorin e Republikës së Kosovës dhe ngrirjen e pasurive të mbajtura në Kosovë për gjithë individët dhe etnitetet që në mënyrë aktive janë ende subjekt sanksionimi nga Këshilli Evropian”, deklaroi ajo.
Krahas këtyre, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë shumë afër miratimit të koncept dokumentit për themelimin e fondit sovran.
“Udhëzohet AKP-ja të mos vendos në shtije asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në fondin sovran para miratimit të politikës së qeverisë lidhur me fondin sovran”, theksoi ai.
Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi vendimin edhe për lidhjen e marrëveshjes me shtetin e Kanadasë dhe Turqisë për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Ndërkohë miratuan nismën për të filluar negociatat me BERZhH për një kredi të butë për projektin e efiçencës së energjisë në Prishtinë.