Qeveria shfuqizon disa pika në një vendim, u jep më shumë kompetenca ndërmarrjeve publike
Qeveria e Republikës së Kosovës, sot ka mbajtur një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë tri vendime.
Sipas një komunikate të Qeverisë, së pari është plotësuar programi legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022, duke shtuar projektligjin për Anti Doping, vendim ky i cili do të dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Pastaj, me vendim të ri janë shfuqizuar pikat 2.2 dhe 2.3 të Vendimit të Qeverisë Nr.02/39 të datës 03.06.2020 me të cilin obligoheshin Ndërmarrjet Publike Qendrore të krijojnë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale. Pikat e shfuqizuara parashihnin që asnjë Ndërmarrje Publike Qendrore nuk mund të lidhte kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjës nëse kontrata përmban klauzolë për zbatimin e së drejtës së huaj dhe detyrim të Ndërmarrjes Publike Qendrore për të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar, nëse dënimi ose dëmshpërblimi tejkalon shumën prej pesë mije euro. Në kohën kur Qeveria e mëparshme kishte marrë këtë vendim, Ndërmarrjet Publike ndodheshin në rrezik të vazhdueshëm të krizave financiare si pasojë e humbjes së rasteve nëpër gjykata për shkak të nënshkrimit të kontratave të pafavorshme komerciale nga ana e menaxhmentit të tyre. Me përmirësimin e qeverisjes korporative në Ndërmarrjet Publike dhe përparimit në drejtim të emërimit të bordeve të rregullta dhe menaxhmentit të tyre, konsiderojmë që mekanizmat e kontrollit të vendosura në këto pika tanimë janë të panevojshme”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, është miratuar edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për Programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”. Në negocimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës do të përfaqësohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.