Qeveria pret qasje të re në dialog, kërkon sanksionimin e Serbisë
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës po pret qasje të re nga ndërmjetësit në dialogun me Serbinë. Në ekzekutivin kosovar thonë se pas aktit të agresionit të Serbisë në veri, më 24 shtator, ka një situatë të re në këtë proces dhe se tani nevojitet siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë. Sipas tyre, do të ishte inkurajim për Serbinë nëse për sulme terroriste nuk ndëshkohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se kthimi në dialog do të varet nga vlerësimi i Kurtit dhe krenegociatorit Besnik Bislimi, por para kësaj, Bashkimi Evropian duhet të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë dhe t'i qaset me seriozitet normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Kjo varet sesi do të vlerësojnë kryeministri dhe kryenegociatori që janë pjesëmarrës direkt në dialog. Por ajo çka mund të them është se jemi vërtet në një situatë të re dhe sigurisht që dialogu duhet të sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nuk është dialogu vend ku shtyhen vijat e kuqe të Serbisë apo ku mbetën aty si mburojë. Këtë e kemi pasur prej kur e keni arritur aneksin në Ohër dhe marrëveshjen në Bruksel...Na duhet një qasje e re, na duhet që partnerët tanë t’i qasen normalizimit dhe marrëveshjes me seriozitetin e saj, ashtu që Serbia të kuptojë se çka ka pranuar”, thotë ai.

Zulfaj shton se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit për palën kosovare vazhdon të jetë obligative, pavarësisht se Serbia e ka shkelur në mënyrë flagrante me sulmin terrorist në veri.

Megjithatë, ai thekson se ujdia e dakorduar duhet të jetë e zbatueshme në tërësinë e saj dhe jo nene të veçanta të saj.

Këshilltari i Kurtit thotë se provat janë evidente që Serbia qëndron prapa sulmit në veri, andaj duhet të ketë unitet në Bashkimin Evropian që të ndëshkojnë Serbinë.

Duke folur për masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, ai thotë se të njëjtat duhet të hiqen një hapë e më parë.

Për një gjë të tillë, Zulfaj është optimist, teksa bënë të ditur se shumë shtete brenda BE-së, tashmë kanë bërë thirrje për heqje të masave ndaj Kosovës.

Më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe i plagosur polici Alban Rashiti. Ndërkaq, u vranë tre sulmues të grupit terrorist, kurse katër prej tyre u arrestuan.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024