Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 4 milionë euro shtesë për blerjen e barnave nga lista esenciale në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se këto mjete janë për tre muajin e fundit të këtij viti.
Qeveria ka ndarë edhe 92 mijë euro për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, i cili u zhvillua dje në Prishtinë.
Kjo është vendosur në mbledhjen e Qeverisë në të cilën është miratuar edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.
“Përmes këtij projektligji do të rregullohet mbrojtja e konsumatorit, përgjegjësitë e tregtarit si dhe përgjegjësitë e konsumatorit në blerjen e produkteve dhe shërbimeve, me këtë rast adresohen praktikat e padrejta tregtare, treguesit e çmimeve dhe produktet e ofruara, kushtet e padrejta në kontratë, të drejtat e konsumatorit në relacion me kontratat në distancë dhe jashtë të objekteve afariste, masa mbrojtëse për mbrojtje për të konsumatorit, blerja dixhitale, mbrojtja kolektive, pushimet afatgjatë, masa të tjera të përcaktuara me vendim të qeverisë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, ekzekutivi ka plotësuar programin legjislativ për vitin 2022, në të cilin u shtua projektligji për provimin e maturës shtetërore, ndërsa është shtyrë afati i miratimit për projektligjin për shërbimin e jashtëm.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe Strategjia Kombëtare dhe plani i Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa pronarë në Kosovë, për vitet 2022-2028.
Gjithashtu, u miratua nisma për negocim të Marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim në hartimin e planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.