Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi gjashtë vendime për shpronësim të pronave të paluajtshme të cilat pritet të shfrytëzohen për realizim të projekteve të ndryshme. Qeveria iu dha dritën e gjelbër edhe disa nismave për marrëveshje ndërkombëtare me shtetin e Luksemburgut. Po ashtu miratuan plotësim-ndryshimin e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Krahas këtyre, emëruan Bislim Bislimin sekretar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për një mandat katër vjeçar.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut për zhvillim të shkathtësive për punë të qëndrueshme do të lidh arsimin me punësim.
Kabineti qeveritar miratoi vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizmi i projektit “Ndërtimi i ndërtesës administrative për nevoja të Ministrisë së Financave, punës dhe transferove, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave të Kosovës”, në Prishtinë.
Qeveria gjithashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Dragashit, për dhënien në shfrytëzim për 15 vjet të dy parcelave me sipërfaqe prej 18 mijë e 600 metrash katror, të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Këto prona do të shfrytëzohen për ndërtimin e pikës grumbulluese të mbeturinave komunale për nevoja të fshatit Restelicë.
Po ashtu miratoi edhe Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri./KosovaPress/