Qeveria e Kosovës i është përgjigjur kritikave të opozitës në lidhje me përfundimin e mandatit qeverisës. Në ekzekutiv thonë se viti 2024 ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm dhe rezultativ i një pune të gjatë përgjatë viteve pararendëse të mandatit katërvjeçarë.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës në një përgjigje për KosovaPress rendit sukseset që sipas tij kanë ndodhur nën qeverinë Kurti.
Po ashtu, thekson se janë bërë investime të rëndësishme në shëndetësi duke transformuar shumë nga klinikat e ShSKUK-së.
“Këtë vit dyfishuam dhe trefishuam shtesat për fëmijë, rritëm 20% pensionet, paga minimale u ngrit në 350 euro pas më shumë se një dekade stagnim, si dhe morëm vendim për rritjen e pagave në sektorin publik duke filluar nga 1 janari i vitit që po vjen. Shënuam suksese të rëndësishme në procesin e anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës, duke kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të KiE, Komitetit për Çështje Politike dhe pastaj edhe Asamblenë Parlamentare”, tha ai.“Ushtria është fuqizuar edhe më shumë me pajisje e armatim të ri, për vitin e dytë me radhë po shpenzojmë në mbrojtje 2% të Bruto Produktit Vendor sipas kritereve të NATO-s, kurse në dhjetor nënshkruam kontratë me prodhuesit shtetërorë turk MKE për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, duke vendosur kështu themelet e industrisë sonë të mbrojtjes. Ka pasur edhe shumë masa tjera mbështetëse e të punësimit për qytetarët me qëllim rritjen e mirëqenies, duke përfshirë këtu edhe reformimin e asistencës sociale duke e larguar kriteret diskriminuese dhe duke e nxitur punësimin e anëtarëve të familjeve përfituese. Kemi vijuar me programet e arsimit dual, që në krahasim me vitin e parë të pilotimit, këtë vit ka 12 profile më shumë, 25 shkolla më shumë dhe zbatohet më 12 komuna më shumë, me më shumë se 1600 nxënës përfitues më shumë se në vitin e 2021”, shtoi Kryeziu.
Partitë opozitare dhe analistët politikë kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti se nën mandatin e tij, Kosova ka stagnuar në të gjitha nivelet, pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim.