Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me ftesën e tij, ka pritur sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe zëvendësambasadorët e akredituar në Kosovë për të diskutuar mbi çështje aktuale, me theks te rregullorja e Bankës Qendrore për Operacione me Para të Gatshme.
Kryeministri Kurti, bashkё me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin, ndanë me ambasadorët e pranishëm qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe argumentet mbi rëndësinë dhe detajet e rregullores në fjalë.
“Rrjedhimisht rritjen e integritetit financiar të vendit dhe kufizimin e financimit të aktiviteteve ilegale, pastrimin e parasë, qarkullimin e parave të falsifikuara dhe formalizimin e ekonomisë. Nga ana e Qeverisë u theksua se asnjë biznes lokal në pronësi të qytetarëve serbë në Kosovë ose në komunat me shumicë serbe nuk është dënuar apo gjobitur prej hyrjes në fuqi të rregullores dhe se ky nuk është qëllimi i institucioneve”, thuhet në komunikatë.
Kryeministri tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia. Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës.
Megjithëkëtë, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve vartëse që të adresojnë në mënyrë të shpejtë çdo shqetësim të ngritur në mënyrë të shpejtë teksa theksoi që gjatë kësaj periudhe të tranzicionit, fokusi do të jetë informimi i bizneseve të cilat operojnë në dinar dhe në mënyrë të paformalizuar.
Ai gjithashtu i njoftoi se nga Banka Qendrore e Kosovës ka marrë konfirmimin se është e gatshme të angazhohet në diskutim profesional e operacional me Bankën Popullore të Serbisë për të asistuar në identifikim e mekanizmave ligjorë, tё sigurt dhe transparent tё transferimit tё çfarëdo formë të mbështetjes nga Republika e Serbisё.