Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë se Rregullorja e Bankës Qendrore(BQK), ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë s’do të ndryshohet. Sipas tyre, pajtimi me propozimin e Bashkimit Evropian ka të bëjë vetëm me lehtësimin e zbatimit të saj, në mënyrë që qytetarët serbë në Kosovë të mos dëmtohen. Në anën tjetër, partitë opozitare, kritikojnë ekzekutivin që çështjen e dinarit e ka bërë temë në dialog, por theksojnë se çfarëdo veprimi tutje për zbatimin e saj duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress se janë të angazhuar që në bashkëpunim me partnerët të gjejnë mënyrat më të mira që lehtësojnë tranzicionin për zbatimin e Rregullores, por pa e prekur të njëjtën.
Mirëpo, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, thotë për KosovaPress se çdo veprim që është në interes të Kosovës duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtar.
Kritike është edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila thotë për KosovaPress se qeveria e bëri dinarin temë në dialog, pa pasur fare nevojë.
Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, megjithëse thotë se vendimi për dinarin është i duhuri, ngre shqetësime se Qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga i njëjti.
Takimi i fundit në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve u mbajt me 4 prill. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kanë pranuar propozimin e emisarit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, mirëpo pala serbe s’ka qenë e gatshme për kompromis. Takimi i katërt Bislimi-Petkoviq për çështjen e dinarit pritet të zhvillohet pas dy jave në Bruksel. /E.Zeqiri/