Qendrat për punë sociale në Kosovë ballafaqohen me sfida të shumta, por më sfiduese mbeten numri i vogël i zyrtarëve socialë, mospagesat e kujdestarive si dhe mospagesa e rrezikshmërisë. Këto të fundit nuk kanë hapësira që ofrojnë qasje për të gjithë, madje nevojiten edhe fonde emergjente për të forcuar shërbimet emergjente. Kështu u tha nga udhëheqësit e qendrave për punë sociale në takimin e mbajtur me Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale gjatë një tryeze me temën “Puna, të arriturat dhe sfidat e Qendrave për Punë Sociale”.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi tha se nuk po zbatohet në asnjë qendër në Kosovës standardi i punës sociale, sipas tij zyrtarët socialë janë të stërngarkuar pasi siç tha ai, ka mungesë të tyre.Zymberi e ka mirëpritur propozim që këto qendra të kalojnë nën kompetencat e Ministrisë së Drejtësisë, pasi shpreson se ndoshta do të mund të gëzojnë buxhet dhe kushte më të mira.
“Në Qendrën për Punë Sociale nuk merret parasysh numri i banorëve të një qyteti me numrin e zyrtarëve për shërbime sociale sepse tek e fundit shërbimet e asistencës teknik dhe mund ta kryej kushdo prej zyrtarëve, por shërbimet profesionale që kërkojnë përgatitje dhe trajnime dhe shkollim neve ne të gjitha QPS-të jemi duke punuar jashtë çdo standardi. Një zyrtar në QPS do të duhej t’i mbërrijë 5 mijë banorë, me iu dhënë shërbime cilësore, derisa në shumë qendra operon një zyrtar i shërbimeve sociale, i cili ka më shumë se 20 mijë banorë për të cilët përkujdeset. QPS në Gjilan ka për momentin 5 zyrtarë në shërbimet sociale profesionale, derisa Gjilani numëron më shumë se 100 mijë banorë... Besoni ose jo, ne funksionojnë si udhëheqës të qendrave nën ethe se a po eskalon apo po pëlcet një informatë sonte, nesër apo pasnesër, ngase vetëm fenomeni i dhunës në familje sa duhet me iu përkushtu fëmijëve na lë në ethe se kur mund të ndodh edhe një rast tjetër”, u shpreh ai.
Theksin e vuri edhe tek Projektligji për zyrtarët publikë, i cili ndodhet në Kuvend, për çka kërkoi që zyrtarët socialë të gëzojnë status të veçantë.
Ai kërkoi që për QPS-të të sigurohet grant specifik për raste të veçanta.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi tha se si qendër kanë një hapësirë e cila nuk ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara, por sipas saj, problematike mbetet edhe numri i vogël i punëtorëve.
Ajo shprehu shqetësimin edhe për mospagesat e kujdestarive për punëtorët e kësaj Qendre.
Ndërsa, kritika për Ligjin për zyrtarët publikë pati drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicën e Jugut, Gani Mustafa i cili specifikisht kërkoi që neni 46 i këtij projektligji të ndryshohet.
“Tek Projektligji për zyrtarët publikë, një nen që është shumë diskriminues edhe tendencioz, neni 46 nëse miratohet si i tillë do t’i privojë zyrtarët nga pavarësia e tyre profesionale nuk promovon stabilitet institucional dhe më e keqja është se secili kryetar komune apo secila parti që vjen në pushtet ka ardhur kryetari vetë i 16-i, duhet me ardh vetë i 100-të”, u shpreh ai.