Qendra e Studentëve hap dyert për rreth 4 mijë studentë
Lexohet për: 3 min.
pamje-qendra e studenteve
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Qendra e Studentëve edhe këtë vit ka hapur dyert për banorët e saj të rinj. Këtë vit në konviktet e Qendrës së Studentëve pritet të pranohen rreth 4 mijë studentë, ndërsa në mensë do të ushqehen edhe 1 mijë e 500 studentë të tjerë.

Për konkursin për pranim të studentëve në konvikte për këtë vit akademik sot ka folur për KosovaPress, drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari i cili shpalosi edhe disa nga risit që i presin studentët këtë vit.

Kriteri kryesor për të qenë pjesë e Qendrës së Studentëve është që studenti të jetë pjesë e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të jetë pjesë e studimeve bachelor dhe duke nisur nga 25 kilometra largësi e tutje.

Drejtori i Qendrës së Studentëve thotë se konkursi për pranim të studentëve nuk është hapur më herët pasi kanë pritur pranimin e studentëve në afat të dytë.

Studentët që do të pranohen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë do të paguajnë gjithsej 35 euro për banim dhe ushqyerje në mensë.

Sa i takon rritjes së kapaciteteve të konvikteve, drejtori i QS-së, Ekrem Rudari tha se pritet që vitin e ardhshëm të nisë ndërtimi i një konvikti me kapacitet për 500 studentë, kërkesë kjo e cila është adresuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, pasi hapësira e Qendrës së Studentëve do të shfrytëzohet për Lojërat Mesdhetare.

Ndër vite Qendra e Studentëve është ballafaquar me dukurinë e shitblerjes së vendeve nga studentët, por drejtori i QS-së shprehet se këtë dukuri kanë arritur ta luftojnë dhe ndaj shkelësve të ndërmarrin masa.

Sa i takon ushqyerjes në mensë, krahas mëngjesit suedez i cili ka qenë risi nga viti i kaluar në mensën e studentëve, këtë vit ka një rritje të llojllojshmërisë të ushqimeve.  Edhe këtë vit ka lehtësime për kategoritë e luftës, si dhe për studentët me gjendje jo të mirë ekonomike. 

Pranimi i studentëve në konvikte dhe ushqim në mensën e studentëve për vitin akademik 2024/25 do të jetë i hapur deri më 26 shtator, ndërsa afati i ankesave do të jetë nga data e mbylljes së konkursit deri më 28 shtator 2024.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024