Qemajl Mustafa, ish-kryetar i Gjilanit së bashku me 38 persona të tjerë janë liruar nga akuzat për korrupsion e manipulim me tender.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, sipas së cilës provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.
“Atje është krimi i organizuar, nuk ishte te na në këtë grup prej 39 vetave, por është brenda sistemit të drejtësisë. Aludoj te prokuroria në të dy nivelet edhe në Gjilan edhe te Prokuroria Speciale Ai ka qenë komplet një krim i organizuar, i urdhëruar politikisht, i strukturuar mirë deri te hetuesit policorë. Me qëllim ka nisur krejt kjo maskaradë, për linçimin tim politik dhe të të gjithë atyre që kanë qenë shërbyes më të mirë në strukturë të komunës për periudhë të gjatë. Kanë synuar që të gjuhet nga rreshti Qemajl Mustafa. Të mos mund të kthehet në arenën politike”, ka thënë Mustafa për gazetën Nacionale.
Mustafa e ka akuzuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës për gjithë këtë proces gjyqësor. Madje ka thënë, se urdhri kishte ardhur nga lart, nga kryesia e partisë.
Ai i përshkroi shkurtimisht edhe gjashtë vjetët e kaluara me drejtësinë.
“Sorollatje poshtë e lartë, qëllim ka qenë frikësimi i njerëzve, afaristëve, qëllim ka qenë eliminimi. Dhe e patë sa parregullsi ka pasur deri te marrja e vendimit për nisjen e hetimeve. Jemi hetuar në 4 vjet e gjysmë pa vendim. Jemi mbajtur peng, ka qenë dashur ky proces me u nis më herët, aktakuza u ngrit në vitin 2016, më së largu për dy vjet ka qenë dashur të përfundojë”, tha Mustafa.
Sipas aktakuzës, zyrtarët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, kanë keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat e tyre ose duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare. Ndërsa, të pandehurit tjerë duke vepruar si pronarë apo përfaqësues të këtyre operatorëve ekonomik, kanë ushtruar veprimtari ekonomike me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për operatorin ekonomik tjetër, me rastin e ofertimit në aktivitete të prokurimit, pranë asaj komune.
Sipas provave, të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ish-kryetari i asaj komune, ka koordinuar me veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomik (bizneset) e cekura në aktakuzën e ngritur në shtator 2016. /Nacionale