Edhe pas angazhimit në rolin e ndërmjetësuesit nga ana e Avokatit të Popullit, shkollat edhe këtë javë nuk kanë hapur dyert për nisjen e mësimit. Naim Qelaj deklaron se intensivisht ditëve të fundit ka diskutuar me qeverinë e sindikatat për gjetjen e një zgjidhje dhe fillimin e procesit mësimor. Ai ka kërkuar që diskutimi për mbështetje financiare të zhvendoset në fund të vitit. Ku ka njoftuar se palët sërish nuk janë pajtuar, dhe kjo është komunikuar nga sindikatat pa u informuar ai. Qelaj konsideron se është shkelje e të drejtave të fëmijëve për edukim dhe arsim. Madje, Avokati i Popullit thotë se konsideron se kjo situatë është alarmante dhe e jashtëzakonshme. Ai për KosovaPress bën të ditur se kanë dërguar komentet me pakënaqësi për Ligjin e Pagave.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaron se është mirëpritur përfshirja e tij në këtë proces, për çka ka shpresuar që do të ketë zgjidhje.
“Duke parë që nuk ka lëvizje pozitive në drejtim të zgjidhjes së kësaj situate dhe duke marrë parasysh rolin dhe mandatin që kemi me kushtetutë dhe ligj, unë kam marrë një iniciativë me i taku të dy palët dhe të diskutojmë. Ditëve të fundit në mënyrë intensive kam komunikuar me palët, edhe me sindikatën edhe me qeverinë. Duke marrë edhe rolin e ndërmjetësit, pa dyshim duke marrë në këtë rast edhe një lloj koordinimi me Zyrën e Presidentes, e cila ditë më parë veç kishte filluar një proces të ngjashëm”, deklaron Qelaj për KosovaPress.
Më tej, ai njofton se palët janë takuar ndaras me qëllim që të kuptohen qartë qëndrimet dhe kërkesat e tyre, nga të cilat ka kërkuar që në qendër të jetë interesi i fëmijëve.
Veç tjerash, ai tregon se ka dhënë edhe opsionet se si mund të jetë zgjidhja për arritjen e konsensusit të palëve. Por, ai njofton se nuk kanë marrë përgjigje nga sindikata dhe se nuk kanë pranuar asnjë nga palët që të ulen dhe ta zgjidhin këtë problem.
“Duke parë këtë situatë, unë kam propozuar një gjetje të një lloj moratoriumi me i zhvendos krejt këto diskutime ku palët kanë divergjenca, në një periudhë të mëvonshme. Me qëllim që procesi mësimor të fillojë sot, ndërkaq kërkesa për çështjet që lidhen me mbështetjen financiare të zhvendoset në debat për fund të vitit. Duke marrë fillimisht garancinë e plotë të qeverisë që me siguri do të vazhdojë pako deri në aprovimin e Ligjit për Pagat dhe duke garantuar dhe dhënë zotimin e plot që të shqyrtojë edhe mundësinë e rritjes së lartësisë së mbështetjes financiare pas periudhës katër mujore. Ato që unë u kam propozuar palëve ka qenë garancia e qeverisë dhe zotimi që do të vazhdojë pakon mbështetëse deri në miratimin e ligjit edhe shqyrtimin e mundësisë së vlerës së mbështetjes financiare, apo rritjen e pagave”, shton Avokati i Popullit.
Pika më kontestuese e palëve vazhdon të mbetet rritja e vlerës së pakos së mbështetjes financiare.
“Propozimi i dhënë nga ana ime ka qenë i tillë që kam pritur që do të pranohet nga palët, nuk është pranuar. Dhe tash jemi në këtë situatë ku vërtetë për mua si Avokat i Popullit dhe si qytetar i këtij vendi, është tejet shqetësuese sepse agravimi ose mos zgjidhja e mosmarrëveshjeve mospajtimeve mes sindikatës dhe qeverisë, mund të qojnë në një situatë pa zgjidhje. E kjo situatë dëmton rëndë të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsim. Nuk heq dorë nga qëndrimet e mia dhe insistimi që të luaj rolin tim ndërmjetësues në këtë proces. Shpresoj edhe besoj që të dy palët do të reflektojnë”, thekson Qelaj.
Në intervistën për KosovaPress, Qelaj madje shton se pozicionimi në qëndrimet që kanë të dy palët pa përfunduar greva është e pa tolerueshme.
“Zgjidhja është që palët të ulen në një tavolinë diskutimi dhe mos të ngriten nga aty deri sa të gjendet një zgjidhje. Komunikimi me publikun është bërë para se të kem unë informatën. Kjo nuk është shqetësim për mua, por e shoh se në raste të caktuara ndikon në krijimin e një fryme të besimit të ndërsjellë dhe ndikon në vet dialogun që po zhvillohet mes palëve. Unë inkurajoj të dy palët të jenë më të kujdesshëm me gjuhën që përdoret. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e sindikatës për organizim sindikal dhe grevë, por në anën tjetër duhet të ketë kujdes edhe në raport me qeverinë sepse duke marrë parasysh se është përgjegjëse për organizimin e sistemit arsimor dhe për mbajtjen e mësimit, ajo ka për obligim që të gjej një zgjidhje të qëndrueshme. Nëse vazhdon kështu vërtetë unë e konsideroj edhe si gjendje alarmante por edhe të jashtëzakonshme”, shprehet Qelaj.
Më tej, në intervistën për KosovaPress Qelaj bën të diturse i kanë dërguar qeverisë komentet e Ligjit për Paga. Sipas tij, në këtë ligj i cili është në diskutim publik ka mangësi dhe probleme.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka nisur grevën që nga data 25 e muajit të kaluar, me kërkesën për mbështetje prej 100 euro. /Sh.Pajaziti