Në emisionin Pressing në Televizionin 7 është diskutuar për krizën në Ukrainë, rrezikun e përshkallëzimit në luftë të hapur dhe ndikimin e saj në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Gazetarja e ABC News, Linda Karadaku drejtpërdrejt nga Odesa e Ukrainës tha se ka folur me shqiptarë atje dhe se ata i kanë thënë se në rast të një fillimi të luftës, shqiptarët do të luftonin për vendin.
Ndërkohë sipas Adri Nurellarit, presidenti rus Vladimir Putin, i bëri gabim llogaritë në Ukrainë.
“Kam përshtypjen që fillimisht Putin ka shpresuar që vetë të mos të hynte por duke shpresuar që vetë presioni do të mjaftonte për të marrë koncesione, në të kaluarën kjo gjë i ka mjaftuar. Por nuk i ka bërë mirë llogaritë në mendimin tim, sepse ka pasur një efekt kundërveprues”, tha Nurellari në Pressing.
“Putin është duke tentuar, sipas të gjitha analizave të mundshme që po bëhen ditëve të fundit, që përfundimisht ta rikthejë zonën e influencës sovjetike të cilën e ka pasur dikur Rusia e të cilën e ka humbur pas rënies të komunizmit”, tha Latifi.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Agon Maliqi, thekson se presidenti rus Vladimir Putin duket se është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje.
Leon Malazogu tha se oligarkët rreth Putinit frikësohen nga demokratizimi dhe zhvillimi i Ukrainës derisa sipas Hajrullah Tërnavës, nuk do të ndodh më e keqja, pasi Putini do evitimin e hyrjes së Ukrainës në NATO.