Putin: Goditëm Ukrainën me raketë të re, tani kemi elemente të luftës globale
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin deklaroi se sulmi i mëngjesit të sotëm në qytetin qendror ukrainas Dnipro u krye nga një raketë e re konvencionale me rreze të mesme, me emrin e koduar Oresnik.
Ai gjatë një fjalimi televiziv foli për situatën në zonën e Qarkut Ushtarak Verior, pas sulmeve në territorin rus nga Ukraina me armë perëndimore me rreze të gjatë veprimi.
Putin tha se sulmet kanë ndodhur më 19 nëntor, në rajonin Bryansk ku ushtria ukrainase sulmoi me gjashtë raketa ATACMS, dhe më 21 nëntor duke përdorur sistemet Storm Shadow në rajonin Kursk. Ai tha se sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore zmbrapsën sulmin dhe se nuk pati viktima apo dëme të mëdha.
Putin tha se sulmet e raketave perëndimore me rreze të gjatë veprimi në territorin rus i kanë dhënë konfliktit në Ukrainë karakteristikat e një konflikti global.
“Nga ky moment, siç e kemi theksuar në mënyrë të përsëritur, konflikti në Ukrainë, i provokuar më parë nga Perëndimi, mori elementë të një natyre globale”, theksoi ai.
Presidenti rus vuri në dukje se "është e pamundur të përdoren armë me rreze të gjatë për të sulmuar Rusinë pa ekspertë nga vendet ku janë prodhuar ato".