Punonjësit janë më të palumtur tani se në pikun e pandemisë. Këto janë rezultatet që kanë dalë nga një studimi i ri nga BambooHR, i cili zbuloi se kënaqësia në punë ka pësuar një rënie të vazhdueshme që nga viti 2020 dhe ka marrë një rënie edhe më të madhe këtë vit.
Platforma e softuerit të burimeve njerëzore ka analizuar të dhënat nga afro 60,000 punonjës në mbi 1,600 kompani në të gjithë globin midis janarit 2020 dhe qershorit 2023.
Derisa është e vërtetë që më shumë kompani i kanë dhënë rëndësinë balancit punë-jetë në vazhdën e pandemisë dhe kanë zbatuar politika - si kohë të zgjatur pushimi, opsioni për të punuar në distancë - për të ndihmuar punëtorët ta arrijnë këtë, megjithatë shumë punonjës shprehen të pikëlluar.
Pse kaq shumë njerëz janë të pakënaqur në punë?
“Ankesa më e zakonshme që dëgjoj është humbja e kontrollit”, thotë Srikumar Rao, autori i “Lumturia në punë”, për CNBC Make It. “Pandemia na tregoi, në një nivel shumë të brendshëm, se sa pak kontroll kemi mbi jetën dhe karrierën tonë… është e vështirë të bësh paqe me atë lloj realizmi”, shprehet tutje ai.
Inflacioni, pushimet e shumta nga puna dhe pasiguria mbi politikat e kthimit në zyrë janë të gjitha shqetësuese për punonjësit dhe krijojnë një "ndjenjë të thellë shqetësimi" në vendet e punës, thekson Jenn Lim, CEO e konsulencës organizative "Delivering Happiness".
Një tjetër faktor që shkakton pakënaqësinë e punonjësve është mungesa e kuptimit që njerëzit ndiejnë në pozitat e tyre, thotë Emily Liou, një trajnere e lumturisë në karrierë dhe ish-rekrutere.
"Ka pasur një ndryshim të vërtetë në mënyrën se si njerëzit i shikojnë karrierën e tyre falë pandemisë dhe 'dorëheqjes së madhe’. Unë nuk dëgjoj aq shumë njerëz që thonë 'Dua të fitoj më shumë para' ose 'Dua të ngjit shkallët e korporatës'. Tani, është 'Dua të ndihem më i lidhur me punën time' dhe 'Dua të jem' i emocionuar për atë që po bëj”, shprehet tutje Liou.
Sipas psikologut të Wharton, Adam Grant, punonjësit që kuptojnë se puna e tyre ka një ndikim domethënës dhe pozitiv te të tjerët nuk janë thjesht më të lumtur se ata që nuk e kuptojnë; ata janë gjithashtu më produktivë.
Të bësh punonjës të lumtur iu shpërblehet
Në fakt, raporton Gallup, mosangazhimi i punonjësve i kushton botës 8.8 trilion dollarë në produktivitet të humbur, e barabartë me 9% të PBB-së globale.
Por lajmet nuk janë të gjitha të këqija për shefat. Nuk duhet shumë për të motivuar një punonjës të pakënaqur, thotë Lim.