Punonjësi gjerman i muzeut ndërron pikturën me një false dhe shet origjinalin për një "jetesë luksoze"
Lexohet për: 3 min.
1
1 vit më parë
Linku u kopjua

Një punonjës gjerman i muzeut ndërroi një pikturë me një të rreme dhe më pas e shiti origjinalin për të blerë gjëra luksoze, duke përfshirë një Rolls Royce dhe orë dore të shtrenjta, thuhet sipas një gjykate të Mynihut.

30-vjeçari, i cili mbetet i paidentifikuar për shkak të ligjeve strikte të privatësisë në Gjermani, u dënua gjithashtu për vjedhjen e tre veprave të tjera të artit. Ai shmangu burgun, por iu dha një dënim me kusht 21 muaj dhe u urdhërua t'i kthente muzeut më shumë se 60,600 euro (64,200 dollarë).

Në një deklaratë për shtyp të botuar të hënën, Gjykata e Qarkut të Mynihut tha se dënimi i saj mori parasysh se punonjësi e kishte pranuar dhe kishte treguar "pendim të vërtetë".

“Ai tha se ka vepruar pa menduar”, thuhet në vendimin e gjykatës. "Ai nuk mund të shpjegojë më sjelljen e tij sot".

Personi, i cili ishte punonjës i Muzeut ‘Deutsches’ në Mynih, punoi në menaxhimin e koleksionit nga  muaji maj i vitit 2016 deri në muajin prill të vitit 2018.

Gjatë asaj kohe, ai vodhi "Das Märchen vom Froschkönig" (Përralla e Princit Bretkosë) nga Franz von Stuck, e zëvendësoi atë me një të rreme dhe e nxori origjinalin në ankand. Ai gënjeu një shtëpi ankandi në Mynih, duke thënë se piktura dikur i përkiste gjyshërve ose stërgjyshërve të tij. Më vonë u shit në një galeri zvicerane për 70,000 euro (74,000 dollarë), dhe burri mori pothuajse 50,000 euro (52,000 dollarë) në para të gatshme, pasi tarifat e ankandit u zbritën.

Ai vodhi gjithashtu tre piktura të tjera nga hapësira e ruajtjes së muzeut dhe shiti me sukses dy prej tyre - "Die Weinprüfung" (Testi i verës) nga Eduard von Grützner dhe "Zwei Mädchen beim Holzsammeln im Gebirge" (Dy vajza që mbledhin dru në male), nga Franz von Defregger. Njëra prej veprave u shit përmes ankandit dhe tjetra u ble direkt nga shtëpia e ankandit, duke i dhënë atij 11,490 euro të tjera (12,184 dollarë).

Ai i përdori paratë për të shlyer borxhet dhe për të financuar një "jetë luksoze", tha gjykata, duke shtuar: "I pandehuri shfrytëzoi paturpësisht mundësinë për të hyrë në dhomat e magazinimit... dhe shiti pasuri të vlefshme kulturore për të siguruar një standard të lartë jetese për veten dhe për t'u mburrur”. /CNN/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025