Nga qershori i vitit të ardhshëm Komuna e Malishevës pritet të bëhet me parking nëntokësor dhe me sheshin e dëshmorëve në qendrën e qytetit.
Vlera e projektit të parkingut nëntokësor ku përfshihen nënkalimet dhe mbikalimet është 8 milionë e 300 mijë euro.
Por, drejtori i urbanizmit në këtë komunë, Avdi Morina, thotë për KosovaPress, se aty ku punohet normalisht që mund të krijohen ndonjëherë edhe kolona, por se pritje të gjata nuk ka pasur ashtu siç kanë menduar.
“Normalisht kur punohet mund të ketë edhe kolona, edhe pritje por nuk kanë qenë të nivelit çfarë kemi menduar edhe çfarë i kemi parë vitet e kaluara”, ka thënë Morina përmes telefonit.
“Projekti që po flasim është njëri ndër projektet më kapitale për qytetin e Malishevës, pra siç e thash edhe më herët kemi parkingje nëntokësore, kemi mbikalime, nënkalime, pastaj kemi një shesh që do të rregullohet i cili do të mbajë emrin “Sheshi i Dëshmorëve”. Punimet janë duke vazhduar në bazë të planit dinamik siç e kemi parapa, nuk kemi asnjë vonesë deri më tani, tjetër është mundësitë financiare sepse komunat kanë buxhetin e limituar për t’i realizuar projektet. Por, në bazë të planit dinamik ne planifikojmë që qershori i vitit të ardhshëm i tërë projekti të përfundojë”, ka thënë Morina për KosovaPress.
Derisa shton se shpresojnë se për transport të automjeteve kjo pjesë në të cilën është duke u punuar do të hapet para festave të fundvitit.