Gazetat e Budapestit më 26 janar të vitit 1938, njoftuan se Kontesha Geraldine Apponyi pritet të fejohet me Mbretin e Shqiptarëve, Ahmet Zogu, 43 vjeçar.
Të nesërmen, oborri mbretëror shqiptar e konfirmoi këtë lajm. Kontesha 22 vjeçare, bija e kontit të ndjerë Gyula Apponyi, ish-oficer hungarez dhe e Virginia Stewart, bija e një diplomati amerikan, ishte katolike dhe punonte në Muzeun Kombëtar të Budapestit kundrejt një pagese të vogël.
Geraldine shkoi në Shqipëri dhe brenda disa ditësh çifti u fejua. E njohur si Trëndafili i Bardhë i Hungarisë, në prag të martesës, Geraldine u ngrit në statusin mbretëror si Princesha Geraldine e Shqipërisë.
Ajo u bë mbretëreshë e shqiptarëve dhe deri në fund ndau fatin e të shoqit, në ditë të mira e të vështira. Pas vdekjes së Zogut, Geraldine preferoi të njihej si Nëna Mbretëreshë.