Punëtorët e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës kanë protestuar para objektit të Telekomit për shkak se nuk u janë ekzekutuar pagat, meqë nga 29 shkurti i këtij viti, kësaj kompanie i janë bllokuar llogaritë bankare nga përmbaruesi.
Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Postes dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Lami Balaj kërkoi që sa më shpejtë të bëhet zhbllokimi i llogarisë bankare në mënyrë që punëtorët të marrin pagat, ngase sipas tij ata mbajnë familjet me ato mjete.
Ndërkaq, nga menaxhmenti i Telekomit thonë se përmbaruesit i kanë ofruar mundësinë që pagesën ta bëjnë me këste derisa të vjen vendimi i shkallës së dytë, siç edhe ka qenë marrëveshja sipas tij. Porse, shtojnë se qëllimi i tyre është kriminal, ngase sipas tij ata duan që t’i marrin Telekomit mbi 5 milionë euro.
Balaj potencoi se nëse kjo situatë vazhdon, do të vazhdojnë me protesta para qeverisë dhe prokurorisë, derisa përmendi edhe mundësinë për greva.
Ai shpreh keqardhje për punëtorët e Telekomit që kanë mbetur pa paga.
Sipas Sindikatës së Postës dhe Telekomunikacionit afro 2 mijë punëtorë kanë mbetur pa paga tash e më shumë se një muaj. /Z.Zeneli/