Gati 700 mijë qytetarë në moshë pune janë joaktiv (nuk punojnë as nuk kërkojnë punë), nga ta mbi 100 mijë të rinj as nuk punojnë, as nuk janë në shkollë e as në trajnime. Kështu shkalla e jo aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë, rreth 60 për qind. Përkundër kësaj, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati mburret me numrin e llogarive aktive me mbi 400 mijë në Trust për vitin 2023.
Për këtë, opozita dhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri thonë se pushteti po mundohet të mashtrojë qytetarët dhe të krijojë manipulim shifrash. Sipas Shatrit numri real i të punësuarave është 370 mijë, raporton KosovaPress.
“Shkalla e jo-aktivitetit vazhdon të mbetet mjaft e lartë, 59.1 për qind. Shkalla e jo-aktivitetit tek femrat ishte shumë e theksuar me 75.2 për qind, krahasuar me meshkujt, 42.0 për qind. Të rinjtë që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin shkollimin ose trajnimin janë 103 mijë e 35”, thuhet në raportin e Anketës së Fuqisë Punëtore për TM3 2023 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Më tej sipas të dhënave zyrtare të ASK-së thuhet se të punësuar në vitin 2022 kanë qenë 403 mijë e 813 qytetarë nga mosha 15-64. Në vitin 2017 kanë qenë të punësuar 357 mijë e 95 qytetarë, ndërsa në vitin 2014 ishin 323 mijë e 508.
Ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati, shkroi se numri i llogarive aktive në vitin 2023, pra llogarive aktive në Trust, ka qenë 442 mijë e 383, duke shtuar se me këto shifra po demantojnë opozitën.
Për dallim nga pushteti, opozita konsideron se Ministria e Financave ka përdorur statistikat nga situatat kur ka subvencionuar përkohësisht, në të cilat, qytetarët kanë qenë të obliguar që për një periudhë të regjistrohen për t’i marrë subvencionet.
Edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se kjo qeveri po mundohet t’i mashtrojë qytetarët me statistika jo reale.
Edhe ish-ministri i Financave, Haki Shatri vlerëson se qeveria po manipulon opinionin me shifra. Ai derisa ka shpjeguar numrin e punësimit, tregon numrin real të punësuarve.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna konsideron se kjo situatë nga Ministria e Financave nuk ështëpër mburrje. Sipas tij, krekosja duhet të ndodh kur të ulet në minimumin e mundshëm papunësia.
Për këto shifra të prezantuara flasin edhe mazhoranca. Deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë për KosovaPress se jo të gjitha të llogaritë aktive në Trust janë vende të reja të punës. Sipas tij, që nga koha e pandemisë deri në raportin e fundit të ASK janë rreth 100 mijë të cilët janë riaktivizuar në tregun e punës.