Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës-PShDK mbajti sot mbledhjen e Këshillit të përgjthshëm drejtues, me pikë të veçantë, situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Lidhur me situatën në vend, kryetari i PShDK-së, Zef Morina u shpreh se kryeministri Kurti nuk po tregon mençuri politike, pasi nuk po dëgjon këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
Morina tha se shkaku i qëndrimeve “të pakuptueshme” të kryeministrit, Kosova mund të pësojë shumë.
PShDK kërkon nga qeveria që sa më shpejt të kordinohet me ShBA-të dhe BE-në dhe të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të mos përshkallëzohet situata në vend.
Duke folur për partinë, kryetari i zgjedhur i degës së PShDK-së në Prishtinë, Arbër Prenaj u shpreh se po tentojnë ta ristrukturojnë partinë dhe të rifillojnë të marrin njerëz të rinj, me ide të reja, të cilët siç tha, do të përballen me sfidat në Kosovë.
Ndërsa, nënkryetari i parë i PShDK-së, Anton Shala informoi se dega e kësaj partie në Gjakovë ka shtrirje të mirë të rikonstrukturimit të saj dhe merr pjesë në pushtetin lokal. Ai tha se PShDK në komunë prezantohet katër anëtarë të Kuvendit të komunës dhe tre drejtorë komunalë.
Derisa, nënkryetari i PShDK-së, Anton Antoni, i cili përfaqëson bashkësinë e degëve nga Peja tha se është dashur që partia ta ketë një Kuvend, që është kërkuar nga diaspora, por tha se presin ta mbajnë atë. Ndër të tjera, ai tha se në ditët më të vështira i kanë dalë zot vendit.
Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës-PShDK zgjeroi Këshillit drejtues me disa anëtarë nga Prishtina./KosovaPress