Për vite me radhë Kosova lëngon nga nevoja për investitorë të huaj, të cilët shihen si e vetmja shpresë për t’ia ndryshuar fizionominë ekonomisë së Kosovës, e cila ka një raport tejet të zhdrejtë mes importeve dhe eksporteve. Rritja e eksporteve të prodhimeve dhe shërbimeve vendore, mbeten një prej mundësive të vetme reale dhe më të sigurta për zhvillim ekonomik.
Nga viti 2021, gjërat duket se nisën të lëvizin nga e mbara, përkundër krizës së pandemisë dhe asaj energjetike që nisi të shfaqej në fillimvit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të publikuara në janar të vitit 2022, nga 31.1 milionë euro sa kanë qenë në janar të vitit 2021, në shtator, vlera e investimeve të huaja direkte kishte arritur në 67.1 milionë euro, duke u dyfishuar.
Investimi i Grupit Yildirim, është një prej investimeve më të mëdha të këtij viti, ndonëse detajet e marrëveshjes mes dy kompanive, që janë marrë vesh për tranzicion të qetë të pronësisë, nuk janë bërë publike ende.
“Grupi YILDIRIM, një konglomerat ndërkombëtar me bazë në Turqi, ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, një prej prodhuesve më të mëdhenj të Ferronikelit në Evropë. Të gjitha aksionet e “NewCo Ferronikel”-it zotëroheshin nga Grupi BALFIN. Të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë për një tranzicion të qetë”, u tha në njoftimin e kompanisë.
Megjithatë, kriza e pandemisë dhe ajo e çmimeve energjisë që erdhi në fundvitin e 2021-ës, ka goditur kompaninë si konsumues i lartë i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare, duke e detyruar që për afro 7 muaj ta ndërpres prodhimin si pasojë pamundësisë që t’i përballojë kostos së gjashtëfishuar të energjisë elektrike. Kjo krizë kërkoi energji të madhe menaxhimi për t’i mbajtur punëtorët në marrëdhënie pune deri në ditë më të mira.
Yildirim Group vjen me synime të qarta për ta nisur një epokë të re për kompaninë kosovare, që u themelua në vitin 1984 si ndërmarrje shtetërore. Në komunikatën njoftuese u tha se objektiv ka që Ferronikelin ta shndërrojë në një prej kompanive më të suksesshme në Evropë.
Përveç punësimit, rritja e kapaciteteve prodhuese do t’i kontribuonte gjithashtu edhe prodhimit vendor dhe eksporteve, aq shumë të nevojshme për ekonominë e Kosovës. Pa dyshim që ndikimi i investitorit Yildirim në vetë kompaninë “NewCo Ferronikeli”, sikurse në ekonominë e gjithmbarshme të vendit, do të ndjehet pozitivisht. Mbetet të shihet nëse investitorë të tjerë, sikurse Yildirim Group, do të drejtohen nga Kosova gjatë muajve në vijim.