Instituti Octopus ka reaguar edhe njëherë karshi lëvizjeve të fundit të Serbisë, pasi kjo e fundit ka lëshuar një thirrje për të rinjtë e moshës 19 – 30 vjeçare për angazhim vullnetar ushtarak. Octopus një hap të tillë nga pala serbe e konsideron shpërthim të retorikës nacionaliste nga politikanët serbë, derisa konstaton se ndryshimi konstant i dinamikave gjeopolitike ndërkombëtare rrezikon të ndikojë në eskalimin e mëtejshëm të paqes rajonale.
Sipas Institutit, ky vendim shënon një zhvillim shqetësues dhe një rrëshqitje të pakontrolluar drejt militarizmit shovenist.Octopus theks të veçantë i jep kërcënimit publik të Serbisë ndaj Kosovës, për të cilin vlerëson se po rritet çdo herë e më shumë.
“Ne i shohim këto zhvillime në kuadrin e një indoktrinimi në rritje të militarizmit, dhe shpërfaqjes së shovenizmit ekstrem dhe autoritarizmit që po etablohet në Serbi. Militarizmit, si glorifikim i fuqisë ushtarake dhe besimit se forca është mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemeve; shovenizmit, si shpërfaqje e urrejtjes ndaj vlerave demokratike dhe të paqes rajonale; autoritarizmit si akumulim i pushtetit nga Aleksandar Vuçiqi, duke asgjësuar opozitën, mediet dhe shoqërinë civile. Ëndrrat dhe iluzionet e Vuçiqit janë fantazi e rrezikshme që mund ta hedh këtë pjesë të Evropës përsëri në një kaos me pasoja të paparashikueshme... Kjo tregon që Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë, dhe se aspiratat për integrime euro-atlantike i ka vetëm parullë për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar, të fokusuar në konflikte të tjera të armatosura e shumë të përgjakshme”, thuhet në reagimin e Institutit.