Protestuesit serbë tashmë janë mbledhur para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.
Serbët që po protestojnë në Zveçan sot kanë ngritur pankarta propaganduese se gjoja po dëbohen nga shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesës së kësaj komune.
KosovaPress raporton se të gjithë të punësuarit në institucione publike në veri të vendit janë të obliguar të dalin në protestat që po mbahen në kundërshtim të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit. Ndërkohë që dihet se këto institucione punojnë sipas sistemit të Beogradit.
Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur gjashtë policë të Kosovës dhe 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.